Benzema është dashuria, Bejl është urrejtja në “Bernabeu”

Është vetëm dy gola larg rekordit të tij në Madrid, dhe publiku padyshim që e ka në zemër. Karim Benzema ka qenë një nga të paktët këtë sezon tek Reali, që është përpjekur të mbushë boshësinë e lënë nga ikja e Kristiano Ronaldos, siç e tregoi edhe në ndeshjen e fituar 3-0 ndaj Bilbaos në La Liga. Sulmuesi francez shënoi 3 gola, duke arritur në 30 rrjeta gjithsej, ndërsa në 2011-2012 realizoi 32. Kur mbeten edhe 5 ndeshje në kampionat, pritet që ai ta thyejë rekordin personal.

Me 222 gola në total, Benzema është shënuesi i pestë më i mirë në historinë e Realit, dhe i ka të gjitha mundësitë që të lerë prapa edhe legjendën Ferenc Pushkash (edhe pse hungarezi luajti shumë më pak ndeshje). Zidan e lavdëroi fort francezin, duke e quajtur si “numrin 9 më të mirë në botë”.

Nëse Benzema është dashuria e “Bernabeut” dhe e trajnerit të tij, e kundërta mund të thuhet për Garet Bejlin. Uellsiani u la në stol gjatë ndeshjes ndaj Bilbaos, dhe u fut si zëvendësues pas pushimit. Menjëherë, një pjesë e madhe e tifozëve nisën ta vërshëllenin dhe e bënë këtë gjë sa herë që kapte topin. Duket se Bejli po luan ndeshjet e fundit me Realin.

Sfidanti.al