Afati ishte këtë javë, dhe data e lidhjes tashmë u pre. Do të jetë pikërisht kjo e mërkurë, dita e konfirmimit të Edi Rejas si trajner i kombëtares shqiptare. Kjo, me një konferencë për shtyp në orën 15:00, në selinë e Federatës Shqiptare të Futbollit, aty ku janë prezantuar përpara tij edhe italianët e tjerë, Xhani De Biazi dhe Kristian Panuçi.
Presidenti Duka u tregua enigmatik me njoftimin për zyrën e tij të shtypit në Federatë, duke komunikuar se do të ketë konferencë, por pa konfirmuar nëse Reja do të jetë apo jo. Gjithsesi, burime të besueshme pohojnë se gjithçka ka marrë fund, dhe se trajneri italian do të prezantohet dhe do të firmosë kontratën.
Marrëveshja pritet të jetë deri në fund të eleminatoreve të Europianit në nëntor, me të drejtë rinovimi edhe për një edicion tjetër. Pagesa mund të jetë rreth 20 000 euro në muaj, plus shpërblime të ndryshme, ndonëse kjo nuk pohohet zyrtarisht. Italiani kishte kërkuar kohën e nevojshme për të studiuar çdo detaj, përpara sesa të hidhte firmën, dhe kjo bëri që të mendohej se prezantimi mund të shtyhej për të enjten.
Gjithçka nisi në në “Loro Boriçi” të Shkodrës, në ndeshjen ndaj Turqisë, kur Reja erdhi në rolin e një vëzhguesi talentesh, dhe jo si kandidat për stolin kuqezi. Disa lojtarë të kombëtares ishin në vëmendjen e tij, si Ismajli, Uzuni dhe Veseli, veçse humbja 0-2 në eleminatoret e Europianit solli largimin e Kristian Panuçit, dhe hapjen e garës për trajnerin e ri.
Pas disa javë bisedimesh, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, vendosi që pikërisht 73-vjeçari Reja ishte kandidati më i përshtatshëm, në aspektin sportiv dhe financiar.
Sfidanti.al