Valverde ka një shqetësim për minutat e fundit të Junajtidit

Nuk është vetëm memorja e jashtëzakonshme e finales së “Kamp Nout” në 1999. Mançester Junajtid vazhdon të ketë diçka të veçantë kur vjen puna tek minutat e fundit, dhe kjo e shqetëson jo pak trajnerin e Barcelonës, Ernesto Valverde. Skuadra e tij do të përballet sonte në orën 21:00 me “djajtë e kuq” nga Anglia, për ndeshjen e dytë çerekfinale, dhe nuk dihet plotësisht e sigurt edhe pse ka fituar 1-0 në “Old Traford”.

“Ne e kemi shumë të qartë se çfarë karakteri kanë lojtarët e Junajtidit, – tha Valverde, – kualifikimi ende nuk është vendosur. Mançester Junajtidi ka diçka speciale në minutat e fundit dhe e ka treguar disa herë. Anglezët fituan një Champions në këtë mënyrë (në 1999). Po ashtu, po e bëjnë këtë sezon duke fituar 3 nga 4 ndeshjet jashtë fushe”.

Këtë edicion, Junajtid fitoi 2-1 në minutat e fundit në fushën e Juventusit (në grup), si dhe 3-1 në stadiumin e Paris SG në turin e dytë, duke arritur të kualifikohet. Në 1999, trajneri i sotëm i Junajtidit, Ole Gunar Solskjer, shënoi golin e fitores ndaj Bajernit në minutën e tretë shtesë, në finalen e Championsit në “Kamp Nou”, aty ku sonte skuadra e tij do të provojë të përmbysë humbjen e ndeshjes së parë.

Sfidanti.al