Dortmundi, rekordi i Sanços dhe mrekullia e portierit Burki

Humbja 0-5 ndaj Bajernit duhej lënë pas sa më shpejt, por nuk doli shumë e lehtë. U deshën dy protagonistë të mëdhenj që Borusias e Dortmundit të harronte të paktën pjesërisht katastrofën e Mynihut dhe të mbetej në garën për titull. Heroi i parë është nga Anglia, Xhejdën Sanço, që vendosi një rekord. Me dy rrjetat e shënuara ndaj Frajburgut, ai arriti në 11 gola këtë sezon në Bundesligë, duke qenë lojtari më i ri që mbërrin në këtë shifër. Janë të gjitha mundësitë që Sanço të shënojë edhe më shumë.

Fitorja 2-1, sidoqoftë, nuk u arrit vetëm me golat e adoleshentit 19-vjeçar anglez, por edhe me heroizmin në fund të portierit Roman Byrki. Zvicerani 28-vjeçar bëri një pritje të trefishtë nga fare afër për të mohuar golin e barazimit të Frajburgut. Ishte minuta e 87-të, dhe nëse miqtë do të kishin arritur në 2-2, për Dortmundin fitorja do të ishte bërë thuajse e pamundur.

Sfidanti.al