Fiorentina hedh pa parashute Piolin dhe hipën në “avionin” e Montelës

Mbasi Fiorentina u nda nga trajneri Stefani Pioli, ajo caktoi si trajner të ri të ekipit Vinçenco Montela që, në fakt, e ka drejtuar ekipin “vjollcë” gjatë viteve 2012-2015.
Ish-trajneri i Romës dhe i Seviljes nënshkroi një kontratë deri më 2021 dhe ai do të debutojë në stolin e drejtimit të Fiorentinës këtë të diel në “Artemio Franki” kundër Bolonjës.
Shumëkush u habit nga vendimi i familjes Dela Vale për ta kthyer Montelën, por tifozët, sidoqoftë, janë të entiuziazmuar.
Fiorentina, shtatë raunde para përfundimit të Serisë A, ndodhet në vendin e 10-të me 39 pikë. Seria e rezultateve negative gjatë marsit dhe prillit nuk u la mundësi Kiezës, Xhovani Simeones dhe të tjerëve që të luftonin për ndonjë vend që të çonte në konkurrimet evropiane. Shansi i fundit është gjysmëfinala e Kupës së Italisë, por në ndeshjen e parë kundër Atalantës, Fiorentina nuk arriti më shumë se barazimi (3-3) para shikuesve të vet.
Sfidanti.al