Nuk mund të vinte më nga larg, njeriu që do të shënonte golin e parë historik në “Uajt Hart Lejnin” e ri. Heung-min Son, sulmuesi nga Koreja e Jugut, realizoi në minutën e 55-të për të kremtuar siç duhet debutimin e Totenhemit në impiantin që kushtoi 1 miliardë paund stërlina. Dhjetë minuta para fundit, danezi Kristian Eriksen, i dha formë rezultatit 2-0 ndaj Kristël Palasit. Një derbi i vogël për një stadium të madh londinez, në të cilin ishin saktësisht 59 125 spektatorë, ndërsa kapaciteti normal do të jetë 62 000.
Ishte jo vetëm festë, por edhe vazhdim i “luftës”, pasi Totenhemi u rikthye në vendin e tretë të Premier Ligës me 64 pikë, ndaj 63 të Arsenalit e Çelsit (që fitoi 3-0 ndaj Brajtonit). E vërteta është që Arsenali ka luajtur një ndeshje më pak. Mançester Junajtid ka zbritur në vend të gjashtë me 61 pikë.
Mesjava ishte e rëndësishme edhe për Mançester Sitin, që u rikthye në krye të renditjesë së kampionatit anglez, me fitoren 2-0 në “Etihad” ndaj Kardif Sitit. De Brujn dhe Sane shënuan në pjesën e parë, dhe Guardiola nuk i lodhi më shumë se duhet djemtë e tij pas pushimit. Në fundjavë ka përsëri ndeshje, pastaj vjen Championsi. Siti ka 80 pikë ndaj 79 të Liverpulit.
Sfidanti.al