Shqipëria lë pas Turqinë dhe Panuçin, 3-0 me meritë në Andorrë!

Nëse do të kishte qenë ndeshje basketbolli, do të kishte pasur shumë pikë për të dyja skuadrat, por do të kishte fituar Shqipëria. Ekipi përfaqësues la pas humbjen e hidhur ndaj Turqisë, dhe kohët e turbullta nën drejtimin e Kristian Panuçit, për të arritur një sukses të thellë e të merituar, 3-0 në Andorrë.

U luajt sërish për eleminatoret e Europianit, me Armando Sadikun, Bekim Balajn dhe Amir Abrashin, që gjetën rrugën e rrjetës, e me dy goditje të shtyllës vendase, plus humbjen e disa rasteve të mirë për shënim. Andorra rrezikoi, edhe ajo 2-3 herë portën e mbrojtur nga Etrit Berisha.

Trajneri i përkohshëm (ndoshta edhe i përhershëm), Ervin Bulku (me Sulejman Memën në krah), hodhi në fushë një ekip më të guximshëm sesa ata me të cilët luanin Panuçi apo edhe vetë De Biazi. Vetëm Xhaka ishte “shkatërrues” në mesfushë, ku spikasnin dy lojtarë që luanin topin si Kaçe e Basha, ndërsa Uzuni e Grezda ndihmonin Sadikun në sulm.

Nga minuta e 67-të nisën edhe zëvendësimet, dhe në fushë hynë Abrashi, Balaj e Memushaj, përkatësisht në vend të Xhakës, Grezdës dhe Bashës. Fitorja bëri që Shqipëria të ngjitej në vend të tretë në grupin tonë eleminator, me 3 pikë, po aq sa Islanda, por me golaverazh më të mirë.

Shqipëria: Berisha, Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Aliji, Xhaka (Abrashi 67’), Kaçe, Basha (Memushaj 87’), Uzuni, Grezda (Balaj 70’), Sadiku. Tr. Bulku.

Sfidanti.al