Nja 2 500 vjet më parë, një besim fetar i lindur në tokat mes Indisë e Pakistanit, thoshte që “e vërteta nuk duhet thënë nëse prish paqen”. Sot, parimi i mediave është që “e vërteta nuk duhet thënë nëse nuk e shet lajmin tek publiku”, dhe kjo shprehje vlen të kujtohet tani pasi e gjithë Gjermania është ngritur në këmbë duke brohoritur trajnerin e kombëtares, Joakim Lëv.
Kanë kaluar vetëm pak ditë nga kritikat, akuzat, sulmet dhe nënvleftësimet që iu bënë Lëvit, pasi la jashtë treshen e famshme të Bajernit, Humels-Boateng-Myler, dhe pasi barazoi me Serbinë në miqësoren e Volfsburgut. Sulmet amplifikoheshin, të nxitura nga dështimi i ekipit të Lëvit në Botëror dhe në Ligën e Kombeve, ku zbriti një kategori më poshtë.
Gjithsesi, mjaftoi fitorja 3-2 në fushën e Holandës, për eleminatoret e Europianit, që pllaka të kthehej 180 gradë. Tani, Lëvi është mjeshtri që di të mundë kundërshtarët dhe të udhëheqë skuadrën drejt suksesit. “Magjistari Lëv”, “Kryevepër taktike e Lëvit”, “Lëvi bëri gjithë lëvizjet e duhura”, këta janë disa nga titujt.
Cili Lëv është i vërtetë, pra, ai i përbuzuri në shkurt, apo ky i ngrituri në qiell në fund të marsit? E vërteta është se trajneri ishte dhe mbeti po ai, veçse siç thamë më lart, në gazetarinë e sotme, e vërteta nuk është e shenjtë nëse nuk të sjell klikime, lexime apo pëlqime.
Sfidanti.al