E ardhmja e Maurizio Sarrit duket se është gjithnjë e më larg pankinës së Celsit. Sipas asaj që publikohet nga tabloidi ‘The Sun’, Blutë e Londrës kanë filluar të mendojnë për zëvendësuesit e mundshëm të trajnerit italian për sezonin e ardhshëm. Roman Abramovich nuk do ta shkarkojë Sarrin përpara mbylljes së kampionatit, por në muajt e verës aventura e ish trajnerit të Napolit te Celsi pritet të mbyllet përfundimisht pas vetëm 1 sezoni të karakterizuar me shumë ulje e ngritje.
Tifozët e Celsit janë revoltuar kundër Sarrit dhe kanë ndërmend të bojkotojnë ndeshjet e skuadrës në Stamford Bridge për të treguar se janë kundër trajnerit italian që do të lërë skuadrën përpara mbylljes së sezonit vetëm në rast të një eliminimi në Europa League ose pozicionimit në vendin e pestë në Premier League.
Në këtë pikë, zgjedhja e parë e Celsit ishte Zinedin Zidan, por pas rikthimit të francezit në stolin e Realit të Madridit, Blutë e hodhën vëmendjen e tyre te të tjerë trajnerë. Nuno Espirito Santo po arrin rezultate të shkëlqyera në Angli me Ulvërhemptonin dhe është vënë në shënjestrën e Abramovic për të zëvendësuar Sarrin. Emri tjetër që po lakohet së fundmi është ai i Frenk Lampard, i cili ka mbetur në zemrat e tifozëve të Celsit.
sfidanti.al