Uli Hënesi tregon diferencën e blerjeve të Bajernit dhe Sitit

Bavarezët janë në prag të një transformimi radikal dhe historik të skuadrës së tyre, diçka që mund të mos ketë precedent në të kaluarën e tyre. Presidenti Uli Hënes e tha qartë pak ditë më parë se “do të shpenzojmë për rinovimin e skuadrës si kurrë më parë”, dhe mediat dhanë shumën e të paktën 200 milionë eurove për t’u përdorur.

Gjithsesi, vetë Hënesi tregon, gjysmë me shaka, se tek Bajerni ka një ndryshim në mënyrën e punës, në krahasim me klubet që zotërohen nga sheikë apo miliarderë të tjerë të mëdhenj. “Miku im, Pep Guardiola më tregonte një ditë se çfarë ndodh kur ai kërkon që të marrë një lojtar që kushton 100 milionë euro, – tha Hënesi, cituar nga “Sport Bildi”, – ai shkon tek sheiku me disa video me vete, i bën kërkesën ndërsa hanë drekë, dhe sheiku transferon shumën e kërkuar. Më pas, sheiku shet një sasi nafte apo gazi, dhe i ka sërish paratë e shpenzuara”.

Hënesi shtoi me krenari se tek Bajerni veprohet ndryshe. “Ne jemi një klub që menaxhohemi ndryshe dhe për fat i kemi vetë rezervat financiare që na duhen, – tha presidenti, – jam krenar që, në një rast të tillë, ne nuk shkojmë në bankë për të marrë kredi, por shkojmë në bankë për të tërhequr para nga llogaria jonë”.

Sfidanti.al