Majk Xhejms, një amerikan dominon javën e Euroligës

Plot 10 lojtarë amerikanë ishin në fushë në Arenën e Realit të Madridit, në ndeshjen e javës në Euroligë ndaj Milanos. Ata shënuan gati gjysmën e pikëve në duelin e fituar, më në fund, nga Reali me shifrat 92-89, por sidomos duhet veçuar njëri. Majk Xhejms, basketbollist i Olimpias së Milanos (sot me emrin AX Armani Iksçejnxh (Exchange) Olimpia Milano)! Ylli i miqve shënoi 35 pikë, kapi 8 topa në tabela dhe shërbeu 3 asistë, ndërsa realizoi 7/9 për dy pikë e 4/9 për tri pikë, duke mos humbur asnjë gjuajtje të lirë.

Që kur Luka Donçiç është larguar për në NBA, nuk pritej që një lojtar i Euroligës të dominonte kështu. Xhejms nuk e ndaloi dot Realin të fitonte, ndonëse ai e fitoi ndeshjen e vet. Italianët udhëhoqën thuajse gjatë gjithë kohës, dhe u mundën vetëm në fund. Për ta shkëlqeu amerikani tjetër, Nanëli, dhe serbi Nemanja Nedoviç. Për madrilenët, Sergio Jul shënoi 14 pikë, amerikani Randolf 13 dhe Gustavo Ajon 11 pikë.

Reali mbajti vendin e tretë me 21 fitore e 6 humbje, baraz me CSKA-në e Moskës që fitoi në Turqi ndaj Anadolu Efesit, ndërsa Milano është në vend të 7-të, për momentin kualifikuar për në plej of.

Sfidanti.al