Liverpuli ia doli në “ferrin” e Mynihut, Bajerni jashtë Championsit

Në përplasjen e gjigandëve dikush do të rrëzohej. Fati i keq, por ndoshta i merituar, i takoi Bajernit, ndërsa në çerekfinale të Championsit shkoi Liverpuli. Pas Mançester Junajtidit, Totenhemit e Mançester Sitit, të kuqtë e Klopit nuk mund të mbeteshin prapa dhe Anglia ka katër ekipe nga 8 gjithsej, me një shans të madh për të fituar trofeun.

Liverpuli bëri detyrën në “Alianc Arena”, nëse mund ta themi kështu. Fitoi 3-1 pas barazimit 0-0 të ndeshjes së parë në “Anfild”, duke treguar klasin, por edhe forcën psikologjike për të përballuar një nivel të tillë sfide. Është kalitur mirë nga sezoni i kaluar, me sprovat ndaj Sitit, Romës e Realit, edhe pse kjo e fundit u humb në finale.

Sadio Mane ishte njeriu i ndeshjes, me dy gola të shënuar, por po ashtu qendra e mbrojtjes, e udhëhequr nga kapiteni i ardhshëm, Virgil Van Dajk. Holandezi, jo vetëm ndaloi gjithçka që provuan gjermanët, por edhe shënoi një gol shumë të rëndësishëm, atë të avantazhit të dytë, 2-1, kur ndeshja ishte në “fije të perit”.

Bajerni u tregua më i organizuar me qarkullimin e topit, dhe e mbajti 58 për qind, me lojtarë si Riberi, Hames Rodrigez apo Tiago Alkantara, por nuk mundi të mbështeste Levandovskin, që mbeti i izoluar përpara. Liverpuli u kthye tek loja e zakonshme e Klopit, me veprime të shpejta e vertikale. Kjo solli më shumë raste për anglezët, me 10 gjuajtje dretjt portë ndaj 8 të gjermanëve, madje me 6 gjuajtje në kuadrat përkundër 2 të Bajernit, dhe me goditjet nga këndi, 7-2 për miqtë.

Liverpuli përsëri në çerekfinale, dhe për herë të tretë në katër duele arrin të eleminojë Bajernin, siç bëri në 1971, 1981, apo edhe në finalen e Superkupës së Europës në 2001. Ambicia e të besuarve të trajnerit Klop është shumë më e madhe tani, duke qenë edhe pranë titullit kampion në Angli.

Sfidanti.al