Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola, e mbështeti kolegun e tij të Çelsit, Mauricio Sari, duke u bërë thirrje shefave të “bluve” të Londrës që t’i japin atij më shumë kohë. Siç dihet, trajneri italian është pranë shkarkimit, duke qenë se ekipi i Çelsit ka zhgënjyer me rezultatet e tij në ndeshjet e fundit, ndërkohë që spekulohet se, nëse Çelsi do të humbasë ndaj Sitit në finalen e Kupës Karabao (Kupa e Ligës) të dielën, atëherë shkarkimi i tij (Sarit) do të bëhet realitet.
“Në rastin tim situata ishte ndryshe. Vitin e parë shefat e mi nuk patën ndonjë dyshim tek unë dhe unë kisha mbështetjen e tyre të plotë. Ne sezonin e parë timin media nuk spekuloi se unë mund të shkarkohem, nëse do të humbisja disa ndeshje”, deklaroi Guardiola para finales së Kupës së Ligës me Çelsin, duke konsideruar se trajnerëve u duhet dhënë më shumë kohë.
“Ky është sezoni i parë për Mauricion në futbollin anglez dhe ai ka nevojë për më shumë kohë që t’i aplikojë idetë e tij. Shefat e Çelsit duhet ta mbështesin atë. Jam befasuar nga politika që ndiqet te Çelsi, duke i ndërruar kaq lehtë trajnerët. Unë u habita shumë, kur Antonio Konte, pasi e nxori Çelsin kampion në Premier Ligë, sezonin tjetër për të filluan fjalët për shkarkim mbas një ose dy humbjeve. Kjo nuk është aspak normale”, tha Guardiola.
Sfidanti.al