Stiven Xherardi është legjenda e fundit e futbollit që njoftoi se do të dalë “në pension”. Ish-futbollisti i përfaqësueses së Anglisë dhe simboli i Liverpulit ka qenë pjesë e epokës më të mirë në Premier Ligën angleze, gjatë 20 viteve të fundit. Një nga bashkëlojtarët e tij me bluzën e “të kuqve”, Xhejmi Karager, zbuloi, ditët e fundit, një histori interesante, sipas së cilës kapiteni dhe legjenda e Realit të Madridit, Raul Gonzales, është përpjekur, personalisht, që ta bindë të Xherardin që të vinte në Spanjë.
Kjo ka ndodhur gjatë ndeshjes së kthimit, në stadiumin “Enfild”, në Ligën e Kampioneve, që Liverpuli e fitoi 4-0, duke e eliminuar klubin “mbretëror”. Emri i Xherardit u përmend shpesh, atëkohë, në korridoret e klubit të Realit të Madridit që nuk arriti të kalonte në fazën 1/8 të Ligës së Kampioneve.