Ku ka humbur lojtari 100-milionësh, Aleksis Sançez?!

Klubet kanë shpenzuar shumë para për ta pasur gjatë karrierës së tij të shkëlqyer, por prej një viti nuk është vetvetja. Pikërisht kështu u shpreh edhe trajneri i tij, Ole Gunar Solskjer, duke thënë se “unë nuk mund të them asgjë për Aleksis Sançezin, pasi ai duhet të gjejë vetveten”. Kjo, pas disfatës ndaj PSG-së në Champions, ku kileni luajti për më shumë se 50 minuta si zëvendësues.

Udineze, Barcelona, Arsenali dhe Junajtidi nxorrën, gjithsej, rreth 100 milionë euro për kartonin e tij në 4 etapat europiane, por në “Old Traford”, golat e tij shterruan papritmas. Në më shumë se 1 vit kalendarik ka realizuar vetëm 5 herë, niveli i tij më i ulët që kur la Amerikën Latine. Natyrisht, Sançezi është penguar edhe nga dëmtimet, por tifozët presin krejt tjetër gjë nga lojtari që thuhet se është më i paguari i Premier Ligës.

Në ndeshjen ndaj Parisit ndodhi edhe diçka tjetër që nuk do ta ndihmojë aspak. Sulmuesi 30-vjeçar u dëmtua kur u përplas me gjyqtarin anësor, ndërsa po bënte nxemjen për të hyrë në fushë. Sançez nuk e pati mendjen, pasi po ndiqte lojën.

Sfidanti.al