Mateusi, optimist për shanset e gjermanëve në Champions

Natyrisht, ai nuk nxitohet ta thotë këtë për Shalken, veçse Bajerni dhe Dortmundi i duken kandidatë më të mirë për të pasur sukses. Lotar Mateus, rekordmen i ndeshjeve për Gjermaninë, analizon për “Shport Bildin” shanset e skuadrave gjermane në Ligën e Kampionëve, dhe duket optimist, në prag të përballjes së trefishtë ndaj anglezëve.

“E qartë që asnjë skuadër gjermane nuk mund të quhet favorite, – janë fjalët e ish-kapitenit të Bajernit, – por, Dortmundi dhe Bajerni mund t’ia dalin. Totenhemi është pa Kejnin dhe Dele Alin, ndërsa Borusia ka treguar se mund të luajë edhe pa kapitenin Rojs”.

Po Bajerni i “tij”? “Nuk do të jetë e lehtë ndaj Liverpulit, – vazhdon Mateusi, – por, nëse Tiago dhe Hames Rodrigez janë në formën e duhur, pse jo? Bajerni mund të luajë më shpejt dhe me nivel më të lartë teknik”. Sa për Shalken, Mateusi nuk i jep shumë mundësi ndaj kampiones së Anglisë, Mançester Siti.

Sfidanti.al