Jemi në tokën e Superligës, aty ku mundësitë janë të mëdha jo vetëm për të prishur lojën, por edhe për të rrezikuar ..kokën! Skënderbeu, ekipi polikampion që prej vitesh nuk ngacmohej as nga miza, po thërret me zë të lartë pas dhunës në Fushë-Krujë, por zotat pasi e tradhëtuan jashtë, po i shtrojnë kurrizin brenda kufirit. Janë tradhëtuar moralisht për shkaqet që i dinë të gjithë, por tradhëtia e dytë qënka më supreme, pasi futbollistët duhet të pranojnë dhunën si ofertë e fatit në ruletin e ngjarjeve të stisura. Futbollistët e Skënderbeut, këtë javë, kanë humbur shansin historik për të bërë një gjest që do mund të vlente edhe si kapak ngushëllimi për prapësitë që kanë ndodhur këtë sezon. Do dukeshin si heronj të momentit, po të brakstisnin ndeshjen pas dhunimit! Por gjërat janë trazuar edhe më keq sesa duken! Skënderbeu, i dënuar në Europë, i lodhur nga dorëzimi plot humbje në kampionat, nuk e dinte se skenari do të rëndohej edhe më keq. Aq keq sa do të ngrinin duart lart edhe fallxhorët , të cilët, deri tani, krahasonin rokapujën e Dinamos së atëhershme, me këtë të Skënderbeut të ditëve tona.
Po kush e urdhëroi Skënderbeun të dilte në fushë? E dinë të gjithë, por nuk e thonë dot me gojën e tyre, sepse bindja dhe përulja është më e madhe sesa rebelemi që vjen nga dhuna . Ajo shprehja që dëgjojmë sot nga më i vogli deri tek i madhi i klubit “ na urdhëruan të dilnim në fushë me patjetër nga FSHF-ja” sepse na kujton frazën e paharruar për nga qesëndia “Na rrahin, por nuk na lënë qajmë!” Skënderbeu, edhe sikur të tregonte shënjat e kurrizit, sidomos për hatër të atyre që nuk besojnë tek ngjarja, prapëseprapë, duket se është ekipi i fundit që mund t’i thyente hundët këtij despotizmi te thellë zytar.
Sfidanti. al