Ndoshta është herët të thuhet se mbërriti shpëtimtari. Çelsi i trajnerit Mauricio Sarri duhet të bëjë shumë më tepër që të bindë tifozët dhe kritikët, por për momentin le të kënaqet me fitoren 5-0 ndaj Hadërsfildit, dhe me dy golat e shënuar nga Gonzalo Higuain.
Ish-sulmuesi i Realit, Napolit, Juventusit dhe Milanit, reagoi në ndeshjen e dytë në Premier Ligë, edhe pse mund të thuhet se kundërshtari ia bëri punën më të lehtë. Hadërsfildi ishte në krizë të plotë, me vetëm një gol të shënuar në 7 ndeshjet e fundit të kampionatit, dhe i shkëputur në vendin e fundit në renditje.
Sarri ka besim se Higuain do ta ndihmojë edhe në sfidat e tjera, i bindur se Çelsit të tij i mungonte një qendërsulmues tipik, siç ishte Diego Kosta apo më herët, Didie Drogba. Trajneri italian shpreson që edhe ylli kryesor i ekipit, Eden Hazar, të japë më shumë kontribut që të arrihet kualifikimi për në Champions. Futbollisti belg, i kërkuar fort nga Reali i Madridit, shkëlqeu edhe ai ndaj Hadërsfildit duke realizuar dy herë.
Me suksesin 5-0, blutë e Londrës u ngjitën në vendin e katërt, pra brenda zonës Champions, me 50 pikë pas 25 ndeshjesh të luajtura. Presioni ndaj Sarrit sikur është lehtësuar disi, por trajneri nuk do ta ketë postin të sigurt nëse nuk siguron të paktën Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
Sfidanti.al