Donçiç, një emër për historinë, Dallas ka “gjelin” që bën “vezë”

Asnjë adoleshent në historinë e NBA-së nuk e kishte bërë kurrë atë që i shkoi mendja të bënte Luka Donçiçi. Slloveni 19-vjeçar realizoi tripëll dabëllin e dytë në ligën amerikane, dhe asnjë lojtar nën 20 vjeç nuk ia ka dalë në të kaluarën. Në duelin e madh të Dallasit ndaj Torontos, Donçiç shënoi 35 pikë, kapi 12 topa në tabela dhe shërbeu 10 asistë, duke qenë thjesht më i miri në fushë. Ai, madje, kaloi yllin e madh të Torontos, Koui Leonardin, që realizoi 33 pikë.

Donçiç ka tërhequr vëmendjen dhe lajmet nga SHBA janë që një yll i madh i NBA-së dëshiron të luajë krah tij. Bëhet fjalë për Entoni Dejvisin, gjigandin e Nju Orlinsit, i cili ka në plan të largohet nga Pelikansët sezonin e ardhshëm. Klube të tjerë si Lejkërsat apo Golden Stejti janë të interesuar për qendrën 2.13 metra shtatlartë, por ka mundësi që vetë Dejvis pëlqen të krijojë një dyshe me Donçiçin, dhe të ndërtojë sërish një Dallas fitues, si ai i Dirk Novickit.

Sfidanti.al