Zakonisht jemi mësuar të dëgjojmë shprehjen “treshja e tenorëve”, por kjo nuk përdoret vetëm për muzikën klasike. Edhe futbolli ka treshet e tij, zakonisht ato të sulmit, dhe nëse kohët e sotme mahnitemi nga ato me inciale si MSN, MSD apo BBC, në Shqipërinë e viteve 70-të ishte një treshe vërtet e madhe, ajo e përbërë nga Ilir Përnaska, Vasillaq Zëri dhe Shyqyri Ballgjini.
Kjo “treshe e madhe” ka humbur njërin prej tenorëve të saj, pikërisht Vasillaq Zërin, “thumbin” e hidhur të sulmit të Dinamos së trajnerit të paharruar, Skënder Jareci, pastaj të trajnerëve Sabri Peqini apo Durim Shehu e Stavri Lubonja. Ishte skuadra që fitoi titujt e viteve 1972, 1975, 1976, 1977 e 1980, dhe luajti në kupat e Europës.
“Llaqi” nuk mundi të jetonte një jetë të gjatë, pasi u nda prej nesh në moshën 66-vjeçare, tepër shpejt, por e sigurt është që do të mbete i paharruar. Zëri, me numrin 9, ishte fantazia e kohës, tepër i talentuar dhe driblues. Bashkë me Përnaskën e Ballgjinin do të shënonin rreth 300 gola në 400 ndeshje për Dinamon.
Një djalë minoriteti, pra me origjinë greke, Vasillaq Zëri, ishte po aq shqiptar sa edhe shqiptari më i mirë dhe i dalluar, me një kontribut të shkëlqyer për Dinamon dhe për ekipin kombëtar, ndonëse aty luajti shumë pak ndeshje, edhe për shkak të kohës.
Sfidanti.al