Spaleti harron fitoren, sa shumë sqarime për Ikardin, Mirandën!

Duhej të kishte qenë një konferencë shtypi për fitoren 6-2 në Kupë ndaj Beneventos, veçse u fol për gjithçka tjetër, e thuajse aspak për të. Luçiano Spaleti, jo më kot është trajner i Interit, skuadrës së cilësuar më të çmendur në Itali, që vazhdimisht ka “telenovela” për të zgjidhur.

Cila do të jetë e ardhmja e Mauro Ikardit? “Është një lojtar i fortë që ndihet mirë tek Interi, – ishin fjalët e trajnerit, – dëshiron të takohet me drejtuesit, dhe ata janë gati të diskutojnë me të. Mendoj se do të jetë këtu me ne”.

Po Shkriniar, pasi është folur që ka pretendentë për t’i blerë kartonin. “Askush nuk ka aq para sa të na e marrë, – u trimërua Spaleti, – Shkriniar mbetet me ne, nuk ka çmim për kartonin e tij”. Veçse, flitet edhe për Mirandën që dëshiron të largohet. “Zhoao nuk më ka thënë kurrë se dëshiron të ikë, – u betua tekniku toskan, – ka zëra, e di. Janë zëra nga miq e shokë, por që kështu na prishin punë”.

Spaleti nuk është nga ata që druhet për kritikat, mjafton të pyesni Françesko Totin. Ai deklaron se “në pjesën e parë, dyshja e sulmit Ikardi-Lautaro mund të bënte më mirë”, ndërsa nguc edhe Perishiçin që të ngrejë nivelin. “Vrapon mjaft, ndihmon sulmin, por ka mundësi për më shumë, – theksoi trajneri, – kemi nevojë për cilësitë e tij të plota”.

Sfidanti.al