Mançester Junajtid, më lehtë merret Mesi sesa Poçetino

Është trajner i Totenhemit, tepër i vlerësuar, dhe Mançester Junajtidit “i ka rënë në kokë”që ta marrë në stolin e vet. Nuk dihet saktësisht se cili është mendimi i Maurisio Poçetinos, veçse është shumë i qartë qëndrimi i presidentit të Spërsave, Daniel Levi. Numri 1 i klubit londinez, një biznesmen i shkathët”, nuk dëshiron në asnjë mënyrë ta humbasë njeriun e tij.

Mediat angleze shkruajnë se Levi ka deklaruar që “nuk e lëshoj Poçetinon, edhe nëse Junajtidi paguan 34 milionë paundë stërlina rroga që i kanë mbetur në 4 vitet e fundit të kontratës, edhe nëse paguajnë edhe 16 milionë paund të tjerë”. Kjo do të thotë se Totenhemi do të refuzojë 55 milionë euro.

Klubi në “Old Traford” shkarkoi pak javë më parë Zhoze Murinjon, dhe caktoi trajner të përkohshëm, Ole Gunar Solskjer, i cili po bën punë të mirë. Solskjer dëshiron të mbetet me kontratë permanente, veçse Junajtidi duket se kërkon trajner me përvojë. Sidoqoftë, duhet ta ketë të qartë se ndoshta më lehtë merret Lionel Mesi sesa Maurisio Poçetino.

Sfidanti.al