Që nuk është aspak i rregullt, kjo dihet mirë nga të gjithë. Që është gjumash dhe i padisiplinuar, po ashtu, por që të shkonte në gjyq për shkak të çoroditjes së tij, kjo nuk mendohej për Usman Dembelenë. Barcelona ka tani një shqetësim më shumë për ç’ekuilibrimin që mund të ketë sulmuesi i saj 21-vjeçar, që përballet me një gjyq në Gjermani. Ai është paditur nga qiradhënësi i shtëpisë në Dortmund, kur luante për Borusian.
Qiradhënësi ka kërkuar dëmshpërblim prej rreth 21 000 eurosh për shkak se Dembele e la shtëpinë në gjendje të tmerrshme, me dëmtime dhe mungesa të mëdha, në momentin që arriti marrëveshjen me Barcelonën, dhe u largua “nga sytë, këmbët”. Vetë fotot tregojnë gjendjen në të cilën ishte e shkreta shtëpi në verën e vitit 2017. Seanca në Dortmund është parashikuar në 25 shkurt, por për fat Dembeleja nuk është i detyruar të shkojë, por mund të përfaqësohet nga avokati.
Sfidanti.al