Poçetino apo Zidan? Jo, zot shtëpie tek Junajtid është Solskjeri

Të gjithë e kujtojnë se çfarë mrekullie ndodhi me të tillë si Franc Bekenbauer apo Pep Guardiola, madje sapo nisën karrierën e trajningut. Mos vallë, kështu do të ngjajë me Ole Gunar Solskjerin në stolin e Mançester Junajtidit? Norvegjezi arriti fitoren e katërt në katër ndeshje në stolin e “djajve të kuq”, 2-0 në fushën e Njukasëllit, dhe nuk duket se ka ndërmend të ndalet.

Ish-sulmuesi i Sër Aleks Fergusonit u mor si zgjedhje momentale, pas shkarkimit të bujshëm të Zhoze Murinjos, por dihet se fati i çdo trajneri varet nga rezultatet. Solskjer nuk ka ndonjë përvojë të madhe, por 12 pikë në 4 ndeshje në Premier Ligë janë “licenca” më e mirë. Në “Sent Xhejmsis Park”, u desh që Romelu Lukaku të hynte si zëvendësues për të kaluar të vetët në avantazh. U deshën vetëm 38 sekonda për sulmuesin belg, por u desh edhe gabimi i portierit vendas, Dubravka.

Markus Rashford realizoi të dytin pak minuta para fundit, dhe Junajtidi është tani vetëm 6 pikë larg zonës Champions, pas barazimit të Çelsit. Skuadra e Solskjerit ka 38 pikë ndaj 44 të Çelsit, me Arsenalin që ka 41 pikë.

Sfidanti.al