Një Napoli “infinit” nuk lejon Juven “të vrasë” Serinë A

Nuk e kanë zakon të dorëzohen, mentalitet i kohës së Maradonës, që u ringjall nga Mauricio Sarri. Napoli, edhe pse një “Robin Hud” i vogël përballë superfuqisë Juventus, sërish mbetet shpresa e vetme për një Seri A, gati “të privatizuar” nga bardhezinjtë. Skuadra e drejtuar sot nga Karlo Ançeloti ia doli me shumë mundim të shkëpuste një fitore ndaj Bolonjës, dhe të mbetej në 9 pikë diferencë me Juventusin kryesues.

Një duel i vështirë në “San Paolo”, me një mbrojtje që ndjeu mungesën e Kulibalit, por sidomos presionin në distancë nga skuadra e Alegrit dhe e Ronaldos. Sulmuesi polak, Arkadiush Milik shënoi dy herë, por bolonjezët u përgjigjën po dy herë, më parë me Federiko Santanderin dhe pastaj me anë të Danilos. Barazimi 2-2 erdhi në minutën e 80-të dhe u mendua se napolitanët u dorëzuan, por nuk ndodhi ashtu.

Dris Mertens, protagonist i një sezoni të vështirë, u bë hero i madh me rrjetën e fitores në minutën e 88-të. Napoli ka tani 44 pikë, ndaj 53 të Juves dhe 39 të Interit të vendit të tretë. Të paktën, matematikisht, gara për titull mund të quhet e hapur.

Sfidanti.al