Muzikë e Bitëllsave për veshët e tifozëve, Liverpuli nuk ndalet

Vetëm një koncert i dikurshëm i Bitëllsave mund ta jepte këtë emocion. Mbi 53 000 tifozë në “Anfild” patën një “muzikë” të denjë për grupin e quajtur më të madhin në histori, ndërsa Liverpuli arriti një tjetër fitore madhështore në Premier Ligë. Arsenali u mposht 5-1, madje duke reaguar pas dizavantazhit, dhe të besuarit e Jurgen Klopit dhanë shfaqjen “hevi metël” (heavy metal) të radhës.

Roberto Firmino, Mohamed Salah, Sadio Mane, Alison Beker apo Virgil Van Dajk, janë mishërimi i Xhon Lenonit, Pol Mekartnit, Ringo Starit dhe Xhorxh Harrisonit. Fitorja në ndeshjen e fundit të vitit, në javën ëe 20-të të kampionatit, bëri që “redsat” të kenë tani 9 pikë më shumë sesa Totenhemi i vendit të dytë, që u mund papritur 1-3 në “Uembli” nga Uolvesi. Mançester Siti do të ketë mundësi të ngjitet i dyti, 8 pikë prapa djemve të Klopit, nëse fiton të dielën.

Mejtlend-Najls kaloi londinezët në epërsi në minutën e 11-të, por nuk qe e thënë që tifozët e Arsenalit të gëzoheshin gjatë. Roberto Firmino barazoi që në minutën e 14-të, dhe ishte po sulmuesi brazilian që shënoi golin e avantazhit, dy minuta më vonë.

Sadio Mane përfundoi një kombinim të shkëlqyer të nisur nga Robertson dhe të vazhduar nga Salah. Ishte minuta e 32-të dhe ndeshja u duk çështje e përfunduar. Në minutën e fundit të pjesës së parë, Salah fitoi një penallti që e ktheu në gol po vetë, ndërsa pas pushimit, në minutën e 65-të, ishte Dejan Lovren që fitoi penallti, dhe Firmino që u lejua të plotësonte tregolëshin e tij.

Liverpuli ka 54 pikë në 20 ndeshje, me vetëm 3 barazime dhe asnjë humbje, dhe me golaverazhin thuajse të jashtëzakonshëm 48-8. Titulli i parë pas 29 vitesh duket edhe më pranë.

Sfidanti.al