Përfundoi faza grupore e Lidhjes së Kampioneve (LK), kështu që tani dihen emrat e 16 ekipeve pjesëmarrëse në fazën nokaut të këtij konkurrimi elitar. Ashtu, sikurse edhe pritej, në 1/8-tën e LK-së nuk arriti të kualifikohej asnjë klub i vogël nga ligat që konsiderohen jo të forta. Madje, midis 16 ekipeve më të mirë, 14 u përkasin pesë ligave më të forta të Evropës. Midis ekipeve që konsiderohen si “të vegjël”, arritën të dalin Porto dhe Ajaksi.
Në 1/8-tën e finaleve të LK-së kanë dalë klube që së bashku kanë fituar 40 tituj kampionë të Evropës. Vetëm shtatë ekipe nga 16 pjesëmarresit nuk kanë arritur ta fitojnë LK-në. Të hënën e ardhshme, do të hidhet shorti, ndërkohë që dihen përbërjet e “sferave”:
Sfera e parë: Barcelona, Reali i Madridit, Mançester Siti, Juventus, PSZH, Borusia e Dortmundit dhe Porto
Sfera e dytë: Atletiko e Madridit, Liverpuli, Mançester Junajtid, Totenhem, Roma, Shalke, Ajaks dhe Lion.
Duke pasur parasysh së në 1/8-tën e finaleve nuk do të mund të përballen ekipe nga i njëjti vend, si edhe ata që kanë qenë në të njëjtin grup, Mançester Sitin shorti do të mund t’i vejë përballë vetëm katër ekipe rivalë të mundshëm: Ajaks, Roma, Shalke dhe Atletiko e Madridit, ndërkohë që ekipi i “jorgaxhinjve” (Atletiko) do të mund të ketë përballë pesë rivalë eventualë, duke qenë se nuk do të mund të luajnë kundër Realit, Barcelonës dhe Borusias, kështu që shorti do të mund ta vejë këtë ekip përballë Sitit, Juventusit, Bajernit, PSZH-së dhe Portos.
Sfidanti.al