Mançini “vishet” si fallxhorja e shpresës për Interin dhe Napolin

Trajneri i përfaqësueses italiane dhe ish-drejtues i Interit, Roberto Mançini, konsideron se beteja për Skudeton nuk ka mbaruar, megjithëse Juventusi ka një epërsi solide. “Zonja e vjetër”, mbas 14 raundesh, ndodhet tetë pikë para Napolit të vendit të dytë dhe 11 pikë para Interit të vendit të tretë. Në raundin e ardhshëm, të premten, do të luhet “derbi i Italisë” mes Juventusit dhe Interit. Mançini konsideron se edhe nëse Juventusi do ta fitojë këtë ndeshje, Skudeto nuk do të quhet i mbaruar.
“Kjo do të jetë një ndeshje e shkëlqyer. Juventusi dhe Interi kanë lojtarë shumë të mirë. Shumëkush pret shumë nga Ronaldo, shumëkush tjetër – nga Ikardi. Mendoj se secili prej tyre mund ta vendosë fatin e ndeshjes. Juventusi ka një ekip të fortë, por edhe Interi po e tregon nga ndeshja në ndeshje se nuk qëndron mbrapa dhe mund të konkurrojë për një vend më të lartë në Serinë A. Edhe nëse Juvja do të fitojë, kjo nuk do të thotë se gjithçka mbaroi, por, sidoqoftë, Interi do ta ketë më të vështirë. Kemi edhe Napolin këtu, ndërkohë që kampionati është i gjatë, ka edhe shumë ndeshje”, tha Mançini.
Sfidanti.al