Derbi, thjeshtë një zbukurim në fasadën e Federatës

Në këtë futboll të nënshtruar nga hallet, ne vazhdojmë të jemi të sëmurë me të njëjtat simptoma. Kemi importuar një fjalë të huaj dhe na është bërë aq e dashur, pasi na duket sikur na bën të krahasueshëm me të tjerët. Derbi… Por sa herë që luhet, gjithnjë e më shumë dallohet se një Partizani – Tirana, apo e kundërta sipas kalendarit, ka humbur cilësinë në fushën e lojës dhe ka mbetur një zhurmë e stisur nëpër rrugët e Tiranës. Ndërkohë që pothuajse në çdo rast sjell edhe dëme anësore, nga ato që dikujt mund t’i kompromentojnë ecurinë e mëtejshme të kampionatit.
Pas derbit të fundit, këtë mesjavë ishte fjala e Komisionit të Disiplinës, një organ që me vendimet e tij, prej kohësh tregon preferencat e kupolës drejtuese të FSHF-së. Tirana, pasi humbi një tjetër ndeshje dhe është ngjeshur në fund të “autobuzit”, së bashku me Kastriotin dhe Kamzën, i duhet t’i paguajë edhe haraçin e përjavshëm Federatës, pavarësisht problemeve të theksuara financiare. Ndërsa për mekatet e derbit, Partizani duhet të paguajë shumë më shtrenjtë. Fillimisht, një “bakshish” 2 milionë lekësh për organizatorët e këtij lloj aktiviteti, që nuk janë më të aftë të thërresin në stadium as policinë. Dhe veç kësaj, skuadra e Gegës është e ndëshkuar që ta luajë një takim pa praninë e tifozëve të saj. Kështu, pasi të kthehet nga Durrësi, ku do të luajë një ndeshje shumë delikate, do të presë Kukësin në një “Selman Stërmasi” të boshatisur. Pikërisht, në këtë periudhë të kampionatit, këto të dyja ishin padyshim ndeshje shumë më të rëndësishme nga ana sportive, se ai 90 minutësh i bujshëm kundër Tiranës. Dhe kështu, nëse fitoi derbin, Partizani vetëm sa i thelloi krizën rivalëve të kryeqytetit, ndërkohë që pas tij është dikush atje lart që kujdeset t’ia frenojë shkëputjen. Pra, kujt i duhet ky derbi, përveç drejtuesve të FSHF-së, që gjithmonë e përdorin për të zbukuruar fasadën e ndrehiunës së tyre?