Një fanelë e paçmuar në ankand, numri 10 i Maradonës!

Nuk besohet se ka ndonjë rast tjetër në historinë e futbollit, që një yll të marrë mbi shpinë një skuadër “dështim të përjetshëm” dhe të fitojë dy tituj kampion, në atë që ishte në atë kohë liga më e fortë e botës. Këtë e ka bërë vetëm Diego Armando Maradona me Napolin në vitet 1986-1987 dhe 1989-1990, ndërsa fitoi edhe Kupën UEFA në 1989 dhe Kupën e Italisë në 1990. Le të mos llogarisim për një moment madhështinë e Kupës së Botës 1986 në Meksikë.

Kanë kaluar 31 vjet dhe në Torino do të nxjerrin në ankand një fanelë të tij me numrin 10, bluzën e kaltër të Napolit, me të cilën fitoi titullin në 1987, të parin në historinë napolitane. Sipas mediave, vlera e vendosur paraprakisht pritet të jetë nga 3 500 deri në 5 000 euro, ndërsa po në atë ankand do të ketë edhe fanela të Mesit, Zidanit dhe Platinisë, madje kjo e fundit mund të kushtojë më shumë, 7 000 euro.

Nuk dihet nëse ky çmim është vendosur meqë Platini luajti për skuadrën e qytetit, Juventusin, por e vërteta është se fanela e Maradonës nuk mund të ketë çmim, ashtu siç nuk mund të ketë krahasim mrekullia që bëri ai me “skuadrën e popullit”.

Sfidanti.al