Në verë nga Korça u larguan shumë lojtarë, me përjashtimin nga Europa që rrinte mbi kokë si “shpata e Damokleut”. Në janar, thuhet se do të largohen edhe dy të tjerë, Fidan Aliti e Bruno Dita, që janë nga më të mirët në skuadrën aktuale. Gjithsesi, Skënderbeu mbetet pretendent për titull, duke qenë vetëm 2 pikë larg Partizanit. Nuk po diskutojmë nëse klubi po përpiqet të sigurojë paratë për gjobën e UEFA-s apo ka ndonjë plan tjetër, as që lojtarët ndoshta po largohen nga “varka që mbytet” në mundësinë më të mirë që u jepet.
Po diskutojmë se çfarë kampionati është ky në Shqipëri ku skuadra kampione mund të dominojë gjithë të tjerët (përveç Partizanit), edhe me gjysmë apo çerek skuadre, njëlloj si futbollisti që dominon duke luajtur vetëm me një këmbë.
Po Partizani, çfarë magjie ka bërë? Të kuqtë kanë ulur shpenzimet në mënyrë drastike në krahasim me vjet. Njerëzit pranë presidentit Demi theksojnë se fatura e vjetshme ishte 180 000 euro në muaj, që do të thotë 2 milionë e më shumë euro në vit. Kjo, pa pjesëmarrje në Europë dhe pa shitur asnjë lojtar.
Gjithsesi, vjet Partizani mezi mbajti mesin e tabelës, ndërsa këtë vit, me një skuadër thuajse “U21”, po kryeson kampionatin. Rrogat janë më shumë se të përgjysmuara, por rezultatet në fushë janë fitore. Besohet se këto lloj magjish ekzistojnë vetëm në Superligën e Shqipërisë.
Sfidanti.al