Lajme të mira për Bajernin, Robeni e Boatengu janë gati

Me “pleqtë” gjithnjë ke probleme, dhe tek Bajerni i mbajnë sytë tek veteranët si Arjen Roben apo Frank Riberi. Holandezi kishte nja dy-tri javë i dëmtuar me shqetësime në gju, por ndërprerja e Bundesligës i bëri mirë. Lojtari 34-vjeçar i krahut më në fund u bashkua me skuadrën në stërvitje, pas rikuperimit dhe ushtrimeve individuale. Duket pak e vështirë që Robeni të hidhet direkt në formacion për sfidën në shtëpi ndaj Dyseldorfit, por të paktën  do të jetë një alternativë për Riberinë dhe Serzh Gnabrinë, që do të nisin lojën nga krahët.

Trajneri Niko Kovaç ka lajme të mira edhe nga Zherom Boateng, pasi mbrojtësi i kombëtares e kaloi plotësisht dëmtimin muskulor. Qendërmbrojtësi u la jashtë kombëtares për të marrë veten, dhe kjo kohë i shërbeu mirë, dhe mediat gjermane shkruajnë se ai mund të jetë titullar për ndeshjen e nesërme në “Alianc Arena”. Bajerni ka zbritur në vendin e pestë në renditje, me 20 pikë, shtatë më pak se kryesuesja Borusia Dortmund.

Sfidanti.al