Skocia fiton grupin tonë, 3 golat e Forrestit mundin Izraelin!

Me një “gur”, vrau dy “zogj”. Skocia fitoi vendin e parë në grupin tonë të Ligës së Kombeve, kaloi në gjysmëfinale, si dhe siguroi një vend në plej ofin për në Euro 2020. Kjo, pas fitores 3-2 ndaj Izraelit në “Hampden Park” të Gllazgout, me lojtarin e Sëlltikut, Xhejms Forrest, autor të të tre golave.

Skocezët i përfunduan ndeshjet me 9 pikë, izraelitët me 6 dhe Shqipëria me 3. Miqtë shënuan të parët me anë të Beram Kajalit, por Forrest u përgjigj në minutat 37, 43 e 64. Eran Zahavi shënoi për 2-3 në 75’, dhe dy minuta para fundit, Izraeli pati rastin për të barazuar dhe për t’u kualifikuar, por portieri Alan Mekgregor ndaloi gjuajtjen e Tomer Hemedit.

Skuadra britanike pret shortin gjysmëfinal, ndërsa kundërshtarë do të jenë Finlanda, Norvegjia dhe Serbia. Po ashtu, skocezët do të jenë në plej ofin e Europianit, nëse nuk do të jenë të kualifikuar direkt nga eleminatoret.

Sfidanti.al