Siti i Guardiolës përmbys përvojën e Barcelonës me Akademinë

Kur thua Mançester Siti, nënkupton një klub që shkon në bankë, sa herë kërkon të përforcohet, merr prej aty nja 60 apo 70 milionë paund stërlina, dhe përfiton lojtarët e dëshiruar. Kjo nuk është shumë larg realitetit, për një klub që ka shpenzuar 1 miliardë që kur është blerë nga pronarët e tanishëm, por flitet edhe për një Siti që di të përdorë Akademinë e moshave më mirë sesa rivalët.

Guardiola po mëson të veprojë me Akademinë ndryshe nga sa bënte në Barcelonë tek “La Masia”, por gjithsesi, nuk i ka dalë keq. Nëse Barça i merrte produktet e Akademisë dhe ndërtonte skuadrën (Mesi, Ksavi, Iniesta, Pike, Buskets, Valdes, Sergi Roberto, Pedro), klubi anglez bën të kundërtën.

Ai ka fituar 70 milionë paund stërlina në 4 vjet, nga transferimi në ekipe të tjerë, i lojtarëve të dalë nga akademia e tij. Flitet për futbollistë të rinj si Xhardon Sanço, Pablo Mafeo, Markos Lopes apo Xhejzën Dinejër, sa për të përmendur disa. Klubi shpenzoi 200 milionë paund për ta modernizuar akademinë, por për disa vjet të tjerë këto harxhe do të shlyhen. Sa për krahasim, pesë rivalët e mëdhenj (Junajtid, Çelsi, Arsenali, Liverpuli, Totenhemi) fituan së bashku këta 4 vjet rreth 44 milionë paund stërlina, pra shumë më pak sesa Siti i vetëm.

Sfidanti.al