Partizani likujdon edhe Luftëtarin, e mbyll në krye fazën e parë

Nuk është ekipi i Resmes e Panos, dhe as skuadra e shquar ku Skënder Gega ishte titullar. Gjithsesi, për tifozët e Partizanit, ky formacion po bëhet çdo javë e më i dashur, pasi jep shpresë për t’i dhënë fund një epoke te zezë më shumë se çerekshekullore, dhe mund të fitojë titullin.

Luftëtari u mund 2-1 në “Selman Stërmasi” dhe u mbyll në krye faza e parë e Superligës, një e katërta pjesë e rrugës deri në fund të sezonit. Gjithçka u arrit me gola të shënuar nga sulmuesi Mensah dhe mesfushori Telushi me 11-metërsh.

Duhet thënë se të kuqtë e merituan fitoren, edhe pse prej tyre pritej më shumë.

Gega duhet të ketë mbetur i pakënaqur që ekipi i tij pësoi gol për herë të parë që nga ndeshja e fillimit të kampionatit në fushën e Skënderbeut. Sidoqoftë, ai besohet se u kënaq nga reagimi, pasi Partizani nuk ishte mësuar të goditej, por vetëm të ndodhej në avantazh.

Një fitore e vogël ishte e mjaftueshme, dhe kryeqytetasit e mbyllën fazën e parë me 22 pikë, dy më shumë sesa ndjekësi më i afërt, Skënderbeu. Pas pak ditësh, në 26 tetor, Partizani do të nisë fazën e dytë duke pritur në “Selman Stërmasi” pikërisht kampionët në fuqi nga Korça.

Sfidanti.al