Eshtë ende herët për folur për një surprizë alla-Leicester, por kjo nuk pengon tifozët e Red Bull Leipzig dhe mediat sportive që të gjejnë ngjashmëri mes skuadrës angleze që habiti sezonin e kaluar dhe modestëve gjermanë që po kryesojnë këtë sezon Bundesligën.
Leipzig vazhdon të habisë të gjithë. Skuadra e drejtuar nga trajneri austriak Hasenhuttl fitoi me përmbysje edhe në fushën e Leverkusenit.
Aspirinat gjetën golin që në sekondat e para të takimit, por gëzimi u zgjati vetëm 3 minuta, pasi miqtë barazojnë gjithçka falë një autogoli të shënuar nga Baumgartlinger.
Në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, Brandt dërgon në rrjetë një asist të marrë nga Calhanoglu dhe fraksioni i parë i takimit mbyllet në avantazh për vendasit.
Në minutën e 54 vendasit kishin mundësinë që të dyfishonin avantazhin, por Calhanoglu gabon nga pika e bardhë e penalltive. Ky ishte momenti i kthesës për Leipzig që pak më shumë se 10 minuta më vonë do të gjente golin e barazimit, ndërsa në minutën e 81 edhe atë të avantazhit.
Me këtë fitore, skuadra modeste e ngjitur këtë sezon në Bundesligë kryeson kampionatin me 27 pikë, 3 më shumë se Bajerni që ka një ndeshje më pak.
A mund të përsërisë Leipzig Leicesterin në Angli, apo Kaiserslautern në sezonin 1997-1998?