Ç’djallin pate kapiten Ansi Agolli ! Sa dhurata ka bërë Kombëtarja…

Kur humbet Kombëtarja, nëse nuk të kanë ofruar kasetën kuqezi për të shpjeguar humbjen, më mirë hesht se sa të shkelësh në një tokë të minuar. Pas humbjes “dinjitoze” me Skocinë, Ansi Agolli pat lëshuar një kritikë ndryshe, nga ato pikantet që nuk na kanë mësuar kapitenët kuqezi . E pra,si ka mundësi që Ansi Agolli me kokën e tij, pa pyetur “rojet e sigurisë” , ka lëshuar befas kritikën me damkë : “ Ia bëmë dhuratë fitoren Skocisë..” Ata që e njohin nga afër urtësinë e kapitenit Agolli, me të drejtë janë tundur e shkundur me pyetjen: pse pikërisht Ansi të guxojë kaq shumë! Si lindi ky rebelim duke përfolur publikisht ndeshjen, ndeshje ku paskemi shkëmbyer unazat me skocezët, e cila po na kalonte si shumë të tjera.. pa zhurmë. Sa futbollistë të gojës dhe të penës kanë heshtur për dhurata më flagrante se kjo me Skocinë, sidomos kur heshtja arriti kulmin tek ndeshjet “epike” me Kosovën dhe Ukrainën, ç’djallin e shtyu kapitenin fjalëpak për të thënë atë që nuk duhej thënë…
Loja e Kombëtares është një meny shumë e thjeshtë. Jo rrallë na ushqejnë edhe me bio-mediokritet, por loja tjetër, ajo që komandon trafikun e deklaratave, stilizohet sipas një skeme, ku edhe mund të gabojnë debutuesit të ndezur nga euforia, por jo ata me përvojë si puna e Agollit. Një gabim që duhet të puthësh fatin kur beson se nuk janë zemëruar lojtaret e zyrave, por vetëm trajneri Panuçi. Ai që dëshmon se nga doza e inatit wshtw mw shumë shqiptar se italiani, kur e paska larguar nga lista për dy ndeshjet e radhes me Jordaninë dhe Izraelin. Në këto momente, kur Agolli do të ulet në tribunë duke shtrënguar gjuhën fort se mos nuk i bindet prapë, nuk ia vlen të besosh tek versioni “largpamës” se kapiteni mori leje për ato që do të thoshte, pa e ditur se vazhdon të luhet me sukses një lojë bilardo, ku gropa do të thithte vetë atë.
Gezim Sinemati
Botuar ne gazeten Panorama Sport