Debutim i hidhur, por për fat jo zyrtar. Lebron Xhejms e veshi për herë të parë në një ndeshje fanelën e Los Anxhelos Lejkërsave, në humbjen bindëse në shtëpi ndaj Denverit. Tifozët e të mbiquajturit “Mbreti” mund të mos shqetësohen shumë, pasi ky nuk është fillimi i sezonit të vërtetë të NBA-së, por vetëm parasezoni, pra ndeshje përgatitore, edhe pse mes ekipeve të elitës.
Denver fitoi 124-107 në “Stejpëlls Sentër”, në një sfidë ku Xhejms shënoi vetëm 9 pikë, kapi 3 topa në tabela e shërbeu 3 asistë. Gjithsesi, jo keq pasi ai luajti vetëm 15 minuta. Më shumë se ai shënuan Xhejvejl Mekgi, Brandon Ingram dhe Kajl Kuzma, veçse ata ishin në parket për shumë më tepër minuta sesa kapiteni i tyre i ri.
Parasezoni do të zgjasë deri në 12 tetor, dhe çdo skuadër do të luajë disa ndeshje. Vetë NBA do të nisë në 16 tetor dhe sezoni i rregullt do të përfundojë në 10 prill, për t’i lenë vendin plej ofit. Vetë Lebroni ka deklaruar se nuk ka nevojë për parasezonin që të jetë gati për sfidën e tij të re, ndërsa do ta justifikojë rrogën prej 37 milionë dollarësh në vit, kur të vijë koha.
Sfidanti.al