Shkarkim trajneri, e ndjesë, ka ndodhur edhe më keq, me gryka armësh

Pjesëmarrjet e klubeve shqiptare në kupat e Europës për vite me radhë kanë qenë objekt barcaletash (që ishin të vërteta), dhe shkërmoqjesh menjëherë pas përfundimit. Ashtu si “Pëlhura e Penelopës”, presidentët largonin trajnerë e lojtarë, ndërsa njerëz pranë tyre ishin gati të të tregonin skedinën fituese.

Nuk dihet nëse ka pasur skedinë fituese në rastin e Luftëtarit, por dyshimet dhe akuzat nga mediat e tifozët ishin të shumta kur u luajtën sfidat europiane. Presidenti, pasi u mbrojt me deklaratën patetike se “ne e kualifikuam për herë të parë ekipin në Europë” (pyetja është: Me ç’qëllim?), bëri “mbrojtjen” e tyre. Shkarkoi “fajtorin”, trajnerin Kostiç dhe kërkoi ndjesë. Misioni i Kostiçit përfundoi, ndërsa pak rëndësi ka që e la ekipin në vend të fundit në Superligë.

Gjithsesi, ky është një skenar dështimi tepër i butë për Shqipërinë. Nja 11 vjet më parë, ndodhi që një ekip mori pjesë në kupat e Europës, dhe pas ndeshjeve pati rrëmbime me armë. Duket se skedina fituese u shumëfishua, kuotat e ndeshjes u ulën nga kompania e basteve, dhe krerët që dolën me gisht në gojë vendosën t’i jepnin një mësim fajtorëve.

Sfidanti.al