Mallkuar qoftë kjo intervistë! Disa ditë më parë, ish-trajneri i Kombëtares, Astrit Hafizi i ka kujtuar presidentit Duka se kur trajner i Kombëtares ishte Demollari, shkarkimi u bë sa hap e mbyll sytë, kurse me Panuçin pse u dashka kjo bujari e tepruar. Përse meriton mallkim kjo intervistë, apo më troç.. kjo frazë e ish-trajnerit. Shumë mund ta kenë harruar, por Demollari, ai që konsiderohej si poeti më i madh i futbollit, u bë viktima e parë e një presidenti që nuk do të ndalej, madje do të frymezonte sagën e shkarkimeve. Pyetja që bën Hafizi është teknike në pamje të parë, por duket si bilardo, sepse po të zhytesh në thellësi bëhet tejet morale.
Kur Demollarrin e shkarkuan pas humbjes “historike” me Andorën, disa nga futbollistët e Kombëtares, patën dorëzuar armët gjatë 90 minutave në mënyrën më flagrante, aq të dyshimtë , sa kulmi arriti tek një penallti që u shpall preludi i tradhëtisë. Një tradhëti që kishte marrë bekimin nga presidenti –nxënës,i cili pa vënë akoma këmbën e mbarë në “shkollë” , preu kokën e parë…
Por më e bukura është se vetë Demollari, viktima me të cilin nisi loja e shkarkimeve në stolin kuqezi, i ka të ndaluar vetes shansin të kujtoj puçin e Andorrës. Ai driblon të kaluarën për bukuri, duke dëshmuar se ka talent për të heshtur , si dikur me topin, madje kur e pyesin për Kombëtaren, ka gati një frazë të spërkatur me sheqer: “ Kombëtarja është e të gjithëve”. I heqim kapelen Demollarit futbollist, dhe filmi i tij me topin mbetet në zemer, por kur flet si trajner i shkarkuar, nuk ka lidhje me atë kemi shijuar në fushë…
Sfidanti.al