Mbape mund të ishte sot në Angli, por mamaja refuzoi

Gjashtë vjet më parë, një adoleshent i hershëm 13-vjeçar shkoi për provë në një klub të madh. Djaloshi quhej Kilian Mbape, aspak i njohur atëherë në botën e futbollit, ndërsa klubi ishte Çelsi i Londrës. Francezi u provua për një javë dhe luajti në një miqësore të moshave ndaj Çarltonit, fituar nga blutë 7-0. Pas përfundimit të provës, ai shkoi në zyrat e Çelsit bashkë me mamanë e tij, Fajza Lamari.

“Dëgjo, – i thanë anglezët, – ti je shumë i talentuar, por do të të ftojmë për një provë tjetër, dhe pastaj do të shohim”. Dyshimi ishte se Mbape nuk punonte sa duhet pa top, në fazën mbrojtëse, dhe këtë e tregon ish-agjenti Daniel Boga, që u ndodh në zyrë. Boga kujton se mama Fajza i dha ultimatum Çelsin: “Ne nuk vijmë për së dyti këtu, ose merreni tani, ose pas 5 vitesh, djali im do të kushtojë 50 milionë euro”.

Kaluan pesë vjet, por edhe mamaja e Mbapesë nuk do ta kishte besuar se në 2017, Paris SG do të paguantë 180 milionë euro për kartonin e djalit të saj. Tek Çelsi, në atë kohë, kishin të drejtë, pasi Mbape nuk ishte aq punëtor i madh, diçka e domosdoshme për një profesionist sidomos në Premier Ligë. Veçse, ata gabuan pasi mund ta kishin marrë talentin dhe ta kishin “gdhendur” siç duhet në Londër. A nuk veproi kështu Barcelona me Mesin?

Sfidanti.al