A dilet kampion me një pjesë loje? Përgjigjen ta japë Partizani!

Partizani padyshim që është pretendent për titullin kampion, veçse deri tani ka luajtur vetëm nga një pjesë loje në çdo ndeshje, ose edhe më pak. Aq bëri ndaj Kamzës, kur u “zgjua” pas pushimit, luajti vetëm minutat e fundit në Korçë, ndërsa kundër Kastriotit nderoi në 45 minutat e para. Ia doli të fitonte me golin e Jasir Asanit në minutën e 13-të, mund të kishte shënuar gol tjetër në fraksionin e parë të lojës, por u rrezikua në momentet përmbyllëse.

“Nuk dua ta shoh më pjesën e dytë, – u shpreh trajneri Skënder Gega pas takimit të javës së tretë të Superligës, – pati edhe lodhje”. Tifozët mbetën të pakënaqur, dhe njëri prej tyre postoi një koment në faqen zyrtare të klubit në FB: “Kur shënoni vetëm 1 gol me Kastriotin, si do t’ia bëni me ekipe më të fortë?”

Gjithsesi, Partizani është në vend të tretë, me 6 pikë, vetëm një më pak sesa kryesuesit Skënderbeu e Flamurtari, dhe vetëm Kamza mund t’ia rrezikojë pozicionin nëse fiton ndeshjen e saj.

Sfidanti.al