Flamurtari merr “flamurin”, kap Skënderbeun në krye të Superligës

Kërkon që ta quajnë pretendent. Flamurtari, skuadra që ka zhgënjyer për shumë vjet, dhe që e dëmtuan në 2011-ën, më në fund duket se do të jetë rivale për titull. i mjaftuan vetëm tri ndeshje nën drejtimin e trajnerit kampion, Ilir Daja, që të kapë kreun e Superligës, krah për krah me kampionen në fuqi, Skënderbeun.

Nuk ishte e lehtë të fitohej në fushën e Luftëtarit, edhe pse gjirokastritët kanë qenë një dramë këtë sezon përsa i përket rezultateve. Ndeshja ishte e fortë dhe u zgjidh vetëm falë një goli të sulmuesit kroat, Mirosllav Bushiç, në pjesën e parë. Nuk ishte aspak paraqitje e keqe e të dyja skuadrave, me raste që mund të kishin dhënë rezultat tjetër. Gjithsesi, garën e mundësive para portës, dhe të gabimeve në sulm e në mbrojtje, e fituan vlonjatët.

Flamurtari ka tani 7 pikë, pas tri ndeshjeve, duke kaluar sfida të vështira si ajo në Durrës me barazim ndaj Teutës, sukses ndaj Kukësit në Vlorë, dhe tani fitore në Gjirokastër ndaj Luftëtarit. Besohet se trajneri Daja nuk është ende 100 për qind i kënaqur, por projekti i tij i ri është vetëm në fillimet e veta, ndaj pritet të jetë projekt fitues.

Sfidanti.al