Me shumë gjasë hierarkia do të ndryshojë. Liverpuli sërish nuk hodhi hap të gabuar në Premier Ligën angleze, dhe po kështu bëri edhe Çelsi. Të dyja skuadrat mbajnë kreun e renditjes me nga 4 fitore në 4 ndeshje të luajtura deri tani, dhe besohet se do të jenë rivalë të fortë të kampiones Mançester Siti.
Formacioni i trajnerit Jurgen Klop ia doli në një sfidë aspak të lehtë, në fushën e Leisterit. Të kuqtë nuk është se shkëlqyen, me përjashtim të fillimit kur kaluan në epërsi me golin e sulmuesit Sadio Mane, por gjithsesi, ishin tepër të sigurt në mbrojtje. Roberto Firmino realizoi golin e dytë pas pushimit dhe liverpulasit po e mbyllnin ndeshjen me shumë komoditet, por një gabim i portierit Alison e rrezikoi fitoren. Kjo bëri që të pësohej goli i parë në këtë sezon të Premier Ligës.
Gjithsesi, Liverpuli u mbajt, në një javë kur edhe Çelsi i Mauricio Sarrit iu përgjigj. Londinezët triumfuan 2-0 në stadiumin e tyre, “Stemford Brixh” ndaj Bornmuthit, veçse rrjetat u shënuan shumë vonë. Pedro Rodrigez prishi barazpeshën kur duheshin edhe 18 minuta deri në fund, ndërsa suksesi u garantua nga belgu Eden Hazar. Të dyja skuadrat kanë nga 12 pikë, veçse Çelsi është në vend të dytë me golaverazh më të keq.
Sfidanti.al