Shigjetë tjetër helmuese e Ramosit në adresë të Ronaldos

Mbas ndeshjes së fundit të La Ligës, në të cilën Reali mundi 4-1 Xhironën, u bë e qartë se Serhio Ramosi është tani ekzekutuesi nr.1 i “mbretërorëve”, kur është fjala për gjuajtjen e penalltive, duke qenë se gjuajti penalltinë edhe në ndeshjen finale të Superkupës së UEFA-s me Atletikon e Madridit.
Kapiteni i ekipit kampion të Evropës, duke ekzekutuar me sukses një goditje të tipit Panjenka, tregoi se ai nuk ka asnjë problem me përgjegjësinë që merr përsipër për të gjuajtur penalltitë. Mbas ndeshjes, kur ai u pyet nga gazetarët se përse penalltinë e dytë ia la ta gjuante Benzemas, ai, sikurse duket, shfrytëzoi rastin që të lëshonte një shigjetë tjetër helmuese në adresë të Ronaldos:
“Tani, unë jam ekzekutuesi i parë i penalltive, kurse Karimi – i dyti. Mendoj se në sport nuk duhet të tregohesh egoist, por duhet të tregohesh i afërt me bashkëlojtarët e tu”, i deklaroi Ramosi medias spanjolle që e interpretuan këtë deklaratë si një lloj “përshëndetjeje” që i adresohej Ronaldos.
Sfidanti.al