Edhe pse nuk është në kulm, sërish mbetet i rrezikshëm. Novak Gjokoviç, ka reaguar pas humbjes së numrit 1 të botës në tenis, duke mbërritur i pari në gjysmëfinalen e turneut të madh në Londër. Serbi theu kanadezin Raoniç në ndeshjen e dytë në grupin “Lendl” në “Kupën Masters” të Londër, një sfidë thuajse e barazvlefshme me Grand Slemet.
“Nole” tani pret tenistin që do të dalë i dyti në grupin “Mekenro”, dhe që do të jetë rivali i tij në gjysmëfinale. Gjokoviç është i vendosur të lerë pas periudhën e vështirë dhe ta fitojë turneun londinez, e nëse do t’ia dilte, do të ngjitej sërish në vendin e parë në fund të vitit 2016. Gjithsesi, do të jetë shumë e vështirë, pasi rivali kryesor i tij do të jetë Andi Marrej, në formën më të mirë të jetës.