Totenhemi arriti që të sigurojë firmat, madje, në kontrata afatgjate me pothuajse të gjithë futbollistët, por trajnerit Maurisio Poketino i ka mbetur një problem dhe ai nuk është i vogël – Kristian Erikseni. Ky futbollist danez ka ardhur nga radhët e Ajaksit të Amsterdamit, pasi për të u paguan 11 milionë sterlina dhe tani ai është shndërruar në një nga lojtarët më të mirë të Premier Ligës, por kjo gjë natyrisht që i ka hapur edhe oreksin këtij futbollisti të shkëlqyer që me siguri që “do ta ngrejë stekën” në bisedimet për kontratën e re.
Kontrata e tanishme atij i skadon në qershor 2020, ndërkohë që ajo e reja është larg nënshkrimit, pasi lojtari danez i ka bërë të ditur kryesisë së Totenhemit se ai do një pagë ose, të paktën, t’i afrohet asaj të sulmuesit kryesor, Hari Kejn, që këtë verë nënshkroi një kontratë të re, në bazë të së cilës ai do të marrë plus bonuset rreth 300 000 sterlina në javë, ndërkohë që Totenhemi nuk ka në plan që t’i japë një pagë të ngjajshme asnjë lojtari tjetër në këtë klub.
Eriksenit mund t’i jepen 150 000 sterlina në javë që plus bonuset, mund të shkojnë deri në 200 000 sterlina dhe aspak më shumë, por, sidoqoftë, duhet të pritet sesi do të shkojë puna.
Sfidanti.al