Napoli arriti që të bënte një përmbysje “çmendur” në pjesën e dytë, duke i zhbërë dy golat e disavantazhit, duke kaluar, madje, edhe në avantazh, duke e fituar krejt ndeshjen 3-2 dhe duke treguar se ka karakterin e një ekipi të madh që di të dalë edhe nga një situatë që duket e pashpresë. Kjo ndeshje ishte jashtëzakonisht e veçantë dhe mjaft emocionale, sidomos, për trajnerin e Napolit, Karlo Ançeloti, që më parë ka drejtuar gjatë viteve edhe Milanin dhe që, mbas mbarimit të ndeshjes, vuri në dukje se ndjenjat e tij ishin të pazakonta.
“Milani zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, por ne, kur ishim në disavantazh 0-2, u kthyem dhe treguam një shpirt fenomenal gare se ne asnjëherë nuk e humbasim besimin. Me rastin e kësaj ndeshjeje, unë kujtova të gjithë lojtarët e mi te Milani, në mënyrë të veçantë Gatuzon. Milani që në fillim u tregua i rrezikshëm dhe të dy golat e tij ishin të ngjajshëm. Unë u detyrova që të ndryshoja mënyrën e lojës dhe, që nga ai moment, gjërat morën për mirë”, vuri në dukje Ançeloti, duke pasur parasysh zëvendësimin e Hamshikut dhe futjen në lojë të Mertensit që i dha fitoren 3-2 Napolit.
Sfidanti.al