Kur u bë llogaria e tifozëve në “Kamp Nou” për ndeshjen Barça-Alavesh, doli se biletë kishin blerë vetëm 52 356 tifozë, apo paksa më shumë se gjysma e kapacitetit të stadiumit. Një ditë më pas, në “Santiago Bernabeu” të Madridit u numëruan vetëm 48 446 spektatorë, në një impiant që mban deri në 85 000 vetë.
Kishte më shumë se 9 vjet që në Madrid nuk kishte një nivel të tillë, që nga java e 37-të e sezonit 2008-2009, kur ishin 42 270 tifozë, në një kampionat të fituar nga Barcelona. U desh të kalonin 191 ndeshje që të thyhej ky rekord, dhe duhet thënë se që nga viti 2009 e deri në maj 2018-ës, tifozët vraponin në “Bernabeu” të nxitur nga Kristiano Ronaldo.
Gjithsesi, tek Reali mund të kuptohet rënia edhe nga largimi i Ronaldos, dhe nga mosardhja e asnjë ylli të madh, por çfarë emri t’i vesh asaj që po ndodh në “Kamp Nou”? Lionel Mesi mbetet aty, i shkëlqyer si gjithnjë, ndërsa klubi katalanas ka shpenzuar shumë për të sjellë Kutinjon, Dembelenë apo Arturo Vidalin, sa për të përmendur disa emra.
Sfidanti.al