Ronaldo është “top” fizikisht, edhe me vetëm 8 ditë stërvitje

Zhvilloi vetëm stërvitjen numër 8 me shokët e tij të rinj. Kristiano Ronaldo u rikthye të ushtrohej në kompleksin stërvitor, këtë të hënë, dy ditë pas fitores së të shtunës në fushën e Kievos, kur bëri debutimin në Serinë A. Ylli portugez u duk në formë shumë të mirë fizike, edhe pse ka punuar pak për shkak të pushimeve të zgjatura nga Botërori.

Trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri, pret që numri 7 të jetë shpejt edhe më lart, por është i kënaqur edhe me formën aktuale. “Ndaj Kievos, Ronaldo u mbajt shumë mirë fizikisht edhe pse pati vetëm 7 ditë stërvitje me ne, – theksoi ai, – mëkat që nuk shënoi dot gol, por ai provoi duke gjuajtur disa herë dhe Sorrentino bëri disa pritje shumë të mira”. Alegri u shpreh i kënaqur me atë që e quajti thjeshtësi të lojës së Ronaldos, dhe me faktin se është përshtatur shpejt me ekipin dhe me shokët e tij të rinj.

Sfidanti.al